Fiqnjët flasin për vrasjen e 82 vjeçares në Ferizaj

Një grua vdiq sot nga plagët e marra në Ferizaj ndërsa Prokuroria ka konfirmuar se një person është arrestuar si i dyshuar për këtë vrasje.

I dyshuari është djali i viktimës.

KALLXO.com ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka biseduar me komshinj dhe famijarë të viktimës.

Sipas fqinjve, i dyshuari i cili jetonte në shtëpi vetëm me nënën e tij asnjëherë nuk ka shkaktuar probleme te të tjerët, ndërsa ata e kanë pohuar se ai ka pasur probleme mendore dhe disa herë policia e ka vizituar atë.

“Kojshi e kemi pas, problem me të nuk kemi pasë, u kanë pak i smutë, atë e din shteti që u kanë i smutë edhe i ka ndodh qekjo. Me neve nuk ka pasë kurr asnjë problem. Ka ardhë policia nganjëherë e kanë marrë, sigurisht që e kanë marrë”, ka thënë njëri nga fqinjët i cili deshi të mbetej anonim.

Ai fajëson organet kompetente për mos kujdesin e duhur ndaj të dyshuarit.

“Ka qenë me injeksione, ka pasë mundësi shteti me kqyr, me kontrollu pak ose me çu me naj ven, se ka vene special për ksi sene, ka mujtë shteti me siguru diçka”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka provuar të konkatojë edhe me familjarët e të viktimës, por të njëjtit nuk kanë pranuar që të prononcohen për media.

Lajmin për vrasjen  e kishte konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

“Dyshohet se një person i gjinisë femërore është vrarë. Një person është arrestuar dhe është duke u intervistuar”, kishte thënë ai.

Ndërsa, prokurori i rastit, Veton Shabani kishte konfirmuar se i dyshuari është djali i viktimës, i cili ka ç’rregullime mendore.

“Fillimisht rasti është dyshuar për vdekje të dyshimtë, deri sa kanë ardhë policia, forenzika dhe mjekësia ligjore ku edhe kanë konstatuar edhe vdekjen por edhe kanë parë disa shenja…Fillimisht është menduar si vdekje natyrore më pas janë parë edhe shenjat. I dyshuari kryesor për momentin është djali i viktimës, një person me ç’rregullime mendore dhe tani janë duke u ndërmarrë procedurat. Trupi është dërguar në obduksion”, ka thënë Prokurori Shabani.