FIQ ndan çmimet për filantropi për vitin 2019

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) sot ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve FIDES 2019, për të nderuar kontributin filantropik të individëve, organizatave, dhe bizneseve në Kosovë dhe diasporë.

Ky çmim ndahet për të njëmbëdhjetin vit me radhë që nga 2008.

Ky çmim ka katër kategori: Çmimi FIDES për kontribut kombëtar “Hasan Prishtina”, çmimi FIDES për kontribut korporativ në shoqëri, çmimi FIDES për kontribut në nivel individual dhe çmimi FIDES për kontribut nga diaspora.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ, Dajana Berisha, tha se është nder për FIQ që ndan këto çmime për filantropi për njerëzit që gjatë vitit kanë kontribuuar në të mirë të komunitetit.

“Këtë vit kjo ceremoni po mbahet në Muzeun Kombëtar për të treguar vlerat e veçanta që kanë monumentet e kësaj kategorie. Sot do të ndahen çmime për organizata e individë që kanë kontribuar për nevoja të përbashkëta për Kosovës”, tha Berisha.

Çmimi FIDES për kontribut kombëtar “Hasan Prishtina”, i është ndarë Forcës së Sigurisë së Kosovës për kontributin që e kanë dhënë në Shqipëri gjatë kohës kur ky vend u godit nga një tërmet, i cili la shumë viktima.

Ky çmim është ndarë nga Albin Kurti. Ai tha se se ndihet i nderuar që po e ndan këtë çmim për djemtë që e ndihmuan Shqipërinë në kohën më të vështirë.

FSK- ja nderohet me çmimin FIDES 2019 për kontribut kombëtar

“Ky çmim ndahet për personat që rrezikuan jetën e tyre, të cilët shpëtuan jetë ky çmim me emrin e Hasan Prishtinës i ndahet këtyre djemve të kërkim- shpëtimit sepse edhe Hasan Prishtina do të ndihej krenar për kontributin e tyre në Shqipëri”, tha Kurti.

Çmimi FIDES për kontribut nga diaspora i është ndarë Arta Krasniqi-Trepçës për kontributin e saj përmes organizatës në Suedi si dhe kontributin e saj në parlamentin suedez për fëmijët e Kosovës në nevojë.

Çmimi FIDES për kontribut në nivel individual i është ndarë Calen Jones për kontributin e tij dhe të familjes së tij në disa shkolla të Kosovës përmes organizatës Kids for Kosovo.

Çmimi FIDES për kontribut korporativ në shoqëri i është ndarë kompanisë Al Trade Center për kontributin e saj në shoqëri.