Finlanda e gatshme ta mbështes Kosovën në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, më 05.09.2024 ka theksuar se shteti që ajo e përfaqëson është i gatshëm të bëjë “çfarëdo që është e mundur” për ta mbështetur Kosovën në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Valtonen tha se Finlanda është pajtuar me marrëveshjen që kanë arritur palët vitin e kaluar.

“Kemi biseduar për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes palëve. Finlanda është përkrahëse, në kuadër të KFOR-it dhe EULEX-it në stabilitetin për Ballkanin Perëndimor. Ashtu siç është pajtuar me marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, Finlanda është e gatshme të bëjë çfarëdo që është e mundur që t’ju mbështes në këtë rrugë” – ka thënë ajo pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz.

Finlanda, sipas ministres Valtonen e ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në BE, dhe po ashtu e mbështet edhe anëtarësimin e saj në NATO.

“Të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishëm. Ne jemi të gatshëm që të punojmë intensivisht për të shtuar raportet tona tregtare dhe për t’i forcuar sektorët premtues, si digjitalizimin, energjia e pastër dhe ekonomia”- u shpreh ajo.

Gërvalla ka thënë se në takim kanë diskutuar për sfidat e sigurisë në Europë.

Ajo tha se roli i NATO-së vazhdon të jetë jetik në stabilitetin e rajonit, ndërsa shtoi se synim i Kosovës mbetet anëtarësimi në këtë organizatë.

Ndërsa, ka deklaruar se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet.