Foto: Facebook

Financuesi i Vetëvendosjes tentoi të marrë pompat e derivateve në veri të Kosovës

Kompania e derivateve “EX FIS”  ka tentuar që nëpërmjet dërgimit të një email-i t’i marrë në posedim pompat të cilat ditë më parë Qeveria Kurti njoftoi se u kthyen në posedim të institucioneve të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, më 16.07.2024 njoftoi se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbyllur pompat e derivateve që mbanin logot e “Nis Petrol”.

Ai tha se procedurat e mbylljes u bënë nga AKP, kurse Policisë i ishte kërkuar të ofronte asistencë.

Pompat që janë në pronësi të AKP-së ishin shfrytëzuar me qira nga kjo kompani ndërsa për shkak të mungesës së licencës ato u mbyllën.

10 ditë më vonë, kompania e derivateve ‘Ex Fis”, e cila është në mesin e donatorëve të Vetëvendosjes, kishte vendosur logot e saja në pompën e derivateve.

Më 26.07.2024, në rrjete sociale u publikuan fotografi të cilat tregonin se si disa punëtorë kishin nisur vendosjen e logove ndërsa vetëm një ditë më pas ato logo ishin larguar pasi AKP kishte konstatuar se dhënia në shfrytëzim e pompave duhet të kalojë në procesin e prokurimit.

Më 29.07.2024 KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga AKP për këto veprime mirëpo përgjigjja e parë ka ardhur në një reagim publik të AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në një njoftim për media ka thënë se “EX FIS” kishte bërë kërkesë zyrtare për marrjen e disa pikave shitëse me qira direkte.

“Me rastin e parashtrimit të kërkesës është keqkuptuar se të njëjtit mund të vazhdojnë me brendim të pikës shitëse. Pasi që AKP e ka pranuar informatën se ka brendim të kësaj pike shitëse, menjëherë e ka sqaruar keqkuptimin me EXFIS të cilët i kanë larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira”- thuhet në njoftimin e AKP-së më 30.07.2024.

Tutje në njoftim thuhet edhe se nga informatat që ka AKP me lejen e inspektoratit, operatorëve të naftës u është lejuar tërheqja e karburanteve të naftës nga këto pika shitëse të karburanteve, të cilat importuesit/shitësit me shumicë i kanë shitur tek qiramarrësit e deritanishëm.

Pasi ishte nisur brendimi i pompës së derivateve nga “EX FIS”, AKP kishte kërkuar që të largoheshin të njëjtat.

“Me marrjen e informatës nga AKP, se ka brendim të kësaj pike shitëse, EXFIS menjëherë ka larguar të gjitha brendimet, marrë parasysh që këto pesë pika shitëse ende nuk janë dhënë me qira, rrjedhimisht janë të lira”- thuhet tutje në njoftimin e AKP-së.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga kompania “EX FIS”, mirëpo e njëjta nuk ka ofruar sqarime se pse kishte ndërhyrë në pronat e AKP-së pa pasur kontratë valide.

“Pershendetje, jam jashtë vendit momentalisht. Drejtohuni me email dhe pastaj departmenti përkatës përgjigjet”- ka thënë Genc Bajrami, menaxher i shitjes në “EX FIS”.

Kompania “EX FIS” është në pronësi të Isa Muharremit.

Kjo kompani figuronte edhe në listën e financuesve të Vetëvendosjes në vitin 2020.

Në atë kohë vlera më e madhe e mallrave si donacion ishte nga kompania e derivateve ‘EX FIS’ – 9,534 euro.

Pasi vendosi më 26.07.2024 logon në pompën e derivateve, e cila gjendet vetëm pak metra larg stacionit policor në veri të Mitrovicës, “EX FIS” e largoi atë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e bordit të AKP-së, Mentor Hysenin, i cili pranoi se shpallja për qiradhënie ende nuk ka përfunduar ndërsa deri më tani nuk është dhënë asnjë kontratë për asnjë kompani që të vendosej aty.

“As edhe një kontratë nuk i është dhënë askujt, mundësitë i kanë të barabarta të gjitha, për me apliku në secilën nga pompat atje, tash ato çështje a ka shku ‘EX FIS’ apo jo nuk e di sepse ka qenë edhe Ministria e Tregtisë e involvuar”- tha Hyseni përmes telefonit për KALLXO.com.

Pra ai thotë se nuk ka njohuri si ka arritur “EX FIS” para pak ditësh të vendosë logon e saj e më pas të largojë ndonëse shpallja publike ende është valide dhe AKP në bazë të njoftimit do të pranojë oferta deri më 09.08.2024.

“Periudha e qiradhënies është për 2 vite me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit”- thuhet në njoftimin e AKP-së me datë 26.07.2024.