Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Filmi ‘Zgjoi’ shfaqet nesër në Mitrovicë, në shkurt në Australi  

Filmi “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Basholli do të shfaqet nesër në Qendrën e Kulturës, “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. 

Filmi do të shfaqet në ora 19:00, bëhet e ditur nga Qendra e Kulturës, përmes një njoftimin në Facebook. 

“Për të gjithë ata që nuk kanë arrit me e pa filmin ‘Zgjoi’ i cili po zhurmon anë e kënd botës duke shtjelluar një ngjarje të vërtetë të Kosovës, ju njoftojmë që ky film do të shfaqet me 19 janar në Mitrovicë në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 19:00”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre. 

Filmi “Zgjoi” e ka nisur suksesshëm vitin 2022. Pas Mitrovicës, ky film pritet të shfaqet në Australi dhe në Zelandën e Re.  

 Nga 24 shkurti, “Zgjoi” pritet të shfaqet në kinematë australiane dhe neozelandeze. 

“Filmit i është konfirmuar se do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe 6 të tjera në Zelandë të Re. Kjo, pos tjerash, është një mundësi që shqiptarët që jetojnë në këto vende të kenë mundësi të shohin rrëfimin për Fahrije Hotin nën interpretimin e aktores Yllka Gashi”, thuhet në njoftimin e stafit të filmit, në Facebook. 

Filmi “Zgjoi” është në listë të ngushtë për nominimet për çmimin “OSCAR”, në kategorinë e filmave të huaj, si përfaqësues i Kosovës.