Filmi "Zgjoi": Fotografi: QKK

Filmi “Zgjoi” hyn në konkurrencën kryesore në Festivalin e Filmit në Amerikë

Filmi “Zgjoi” është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ky film është realizuar nën regjinë dhe skenarin e Blerta Bashollit.

Filmi shtjellon jetën dhe sfidat e një gruaje të suksesshme të Krushës së Madhe.

Sipas QKK-së ‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

“Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin  për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten” thuhet në njoftim.

Blerta Basholli ka falënderuar Fahrije Hotin, e cila ka vendosur që historinë e saj ta ndajë për ta bërë filmik.

“Një tregim i një gruaje që ka pësuar shumë nga lufta por, e cila me punë dhe këmbëngulje është bërë e suksesshme tani do të ketë rastin të shihet nga një audiencë e gjerë e për mua si regjisore dhe skenariste e projektit kjo është pjesa më e rëndësishme” ka shkruar Basholli në Facebook.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.

“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Sëiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.