Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Filmi ‘Zgjoi’ fiton çmimet kryesore në festivalin e filmit 'Sundance' në SHBA

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji të Blerta Bashollit ka marrë tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.

“Zgjoi’ mori çmimet për: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjisorja më i mirë dhe ‘Çmimin e publikut’.

‘Sundance Film Festival’ është një prej festivaleve më të mëdha që organizohet në SHBA.

Lajmi për triumfin e “Zgjoit”, në edicionin e sivjetmë të këtij festivali është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pas pranimit të çmimit, regjisorja e filmit Basholli ka thënë se çmimet e fituara i ndan me Fahrije Hotin.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne” është shprehur regjisorja Blerta Basholli, përmes një video mesazhi me rastin pranimit të çmimit ‘Regjisorja më e mirë’, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.

Ndërkaq, Yll Uka, producenti i filmit pas pranimit të dy çmimeve: ‘Çmimin e publikut’ dhe çmimin ‘Filmi më i mirë’ (Grand Jury Prize) ka thënë se ndihet i nderuar me çmimet e fituara.

“Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri).

“Zgjoi” është prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

“Sundance Film Festival” këtë edicionika nisur më 23 janar dhe mbyllet sot më 3 shkurt 2021.