Filmi “Pa vend” fiton çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Sundance  

Filmi i shkurtër dokumentar, “Pa Vend” i regjisorit Samir Karahoda ka fituar çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentar në  “Sundance Film Festival” në Utah të SHBA-së. 

Qendra Kinematografike e Kososvës ka njoftuar se juria e filmave të shkurtër e “Sundance Film Festival” në përbërje të Penelope Bartlett, Kevin Jerome Everson, dhe Blackhorse Lowe ka vlerësuar se “Pa vend” është një vëzhgim delikat dhe i saktë i një komuniteti të vendosur që të shkëlqejë në sportin e tyre, pavarësisht mungesës së kushteve elementare dhe vendit ku mund ta ushtrojnë këtë sport. 

Ky është çmimi i dytë që “Pa vend” merr, pas atij në Trieshtë të Italisë, pak ditë më parë.  

Filmi  “Pa vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping- pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme.