Filmi nga Kosova “Pa Vend” i shtohet garës në Festivalin e Filmit në Kanë të Francës

Filmi ‘Pa Vend’  bëhet filmi i parë nga Kosova që përzgjidhet në mesin e 10 filmave të shkurtër që do të garojë për ‘Palmën e Artë’  në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës në Francë.

Lajmin e ka bërë të ditur producenti Eroll Billibani dhe web-faqja zyrtare e Festivalit.

“Është një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe një luftë e heshtur ndaj diskriminimit. Vlerësimi nga një festival siç është Cannes na bënë edhe më krenar si ekip dhe dua t’i falenderoj të gjithë  për kontributet e tyre individuale’ ka thënë regjisori i filmit Samir Karahoda, thuhet në komunikatë për media.

Filmi ‘Pa Vend’ që filloi xhirimet në muajin shtator të vitit të kaluar, sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të ping pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’ duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve

“Në korrik, në tapetin e kuq të Kanës ekipi ynë i filmit dhe ping pongistët që asnjëherë nuk u ‘dorëzuan’ do të ecin në tapetin ku kanë lënë gjurmë Bekim Fehmiu e Arta Dobroshi. Por, këtë herë është me një film nga Kosova, që është duke i vendos themelet e valës së re të filmit nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha” theksoi producenti Eroll Billibani përmes komunikatës.

Ky është filmi i dytë nga Kosova që do shfaqet në edicionin e festivalit të filmit më të njohur në botë.

Para një jave u bë e ditur se filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajrami do të shfaqet premierë në edicione e radhës së festivalit të filmit në Kanë të Francës.

Festivali i Filmit në Kanë të Francës këtë vit do të mbahet nga 6 deri me 17 korrik.