Skenë nga filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti”. Foto: “038Studio”.

Filmi i Alban Mujës shpalos në "Berlinale" mbijetesën e artit gjatë luftës në Kosovë

Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti”/”I believe the portrait saved me” i regjisorit kosovar Alban Muja do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Berlinale”, në seksionin prestigjioz “Forum Expanded”.

Filmi 10-minutësh “Mua besoj më shpëtoi portreti” trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë luftës në Kosovë.

Studioja prodhuese e filmit “038STudio” ka bërë të ditur se filmi ofron një eksplorim të fuqishëm të krijimtarisë, si një mjet qëndrueshmërie përballë sfidave të jashtëzakonshme.

“Artisti dhe regjisori kosovar Alban Muja prezanton premierën botërore të filmit të tij më të fundit, “Mua besoj më shpëtoi portreti”/”I believe the portrait saved me”, në kuadër të seksionit prestigjioz ‘Forum Expanded’ të Festivalit Berlinale – një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë luftës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e produksionit “038Studio”

Filmi rrëfen historinë e piktorit Skënder Muja, i cili gjatë luftës në Kosovës u kidnapua bashkë me disa qytetarë të Mitrovicës dhe u mbajtën për një kohë në një Qendër ndalimi.

Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” është prodhuar nga studioja “038Studio” në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami dhe mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Edicioni i 75-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlin International Film Festival – Berlinale) do të mbahet nga 13 deri më 23.01.2025.