Filmi ‘Hope’ shpërblehet në festivalin e Amsterdamit

Filmi dokumentar “Hope” (Shpresa) me tekst dhe regji të Vjosa Abazit ka fituar çmimin ‘Best Cast’ në festivalin “Amsterdam World International Film Festival”.

Lajmi për triumfin e këtij filmin në festivalin e filmit në Amsterdam është bërë i ditur nga vetë autorja, Vjosa Abazi, përmes llogarisë së saj në Facebook.

“Filmi Dokumentar ‘Hope’ merr çmimin ‘Best Cast’ në Amsterdam World International Film Festival. E lumtur që historia e katër grave protagoniste të këtij dokumentari po dëgjohet e vlerësohet edhe jashtë  vendit. Faleminderit, Ferdonije Qerkezi, Makfirete Duraj,Valentina Selaci, Hajrie Gashi – Dada”, ka shkruar regjisorja Abazi në Facebook.

Filmi “Hope” rrëfen përditshmërinë e katër grave kosovare, të cilat, në një apo mënyrë tjetër, jeta i ka sfiduar me probleme dhe vështirësi të ndryshme.

Autorja Abazi përmes filmit të saj sjell historitë e katër grave: Ferdonije Qerkezi, Makfirete Duraj, Valentina Selaci, Hajrie Gashi – Dada, me histori  të ndryshme, por një fat i përbashkët.

Këto gra përballen me vështirësi ekstreme sfiduese që janë të vështira për çdo qenie njerëzore, thuhet në web-faqen e QKK-së për filmin.

Ferdonija 65 vjeçare nga Gjakova ndërvepron çdo ditë me bijtë dhe burrin, të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Makfirete Zenuni, një grua 41-vjeçare, që prej tre vitesh kujdeset 24 orë për djalin e saj që është në komë, Valentina një grua 29-vjeçare, për shkak të vrazhdësisë së jetës ka humbur ndjenjën e jetës dhe feminitetit, ndërsa karakteri i fundit Dada, një 55-vjeçare, nga Prizreni mbijeton duke mbledhur kanaçe për të sjellë gëzim për fëmijët e saj.

Filmi “Hope” do të shfaqet edhe në edicionin e 19-të të Dokufest-it, në gusht të këtij viti.