Filmi ‘Exil’ i Visar Morinës shfaqet në festivalin e Cyrihut

Filmi “Exil” i Visar Morinës po merr pjesë në festivalin e filmit në Cyrih të Zvicrës, (Zurich Film Festival), i cili ka nisur më 24 shtator dhe do të zgjasë deri më 4 tetor 2020.

“Exil” do të shfaqet sot në ora 18:00.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se “Exil” do të shfaqet edhe tri herë gjatë festivalit.

“Të hënën nga ora 18:00 do të shfaqet premiera zvicerane e filmit ‘Exile’ nga Visar Morina në kuadër të edicionit të 16 të Zyrich Fim Festival. Filmi do të rishfaqet të martën, më 29 shtator, shtunën, më 3 tetor dhe të dielën, më 4 tetor 2020”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Në gusht të këtij viti filmi “Exil” ka marrë çmimin kryesor në festivalin e filmit në Sarajevë ‘Zemra e Sarajevës”.

Filmi rrëfen historinë e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhyt atë në krizë të identitetit.

Në film luajnë: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj.

“Exil” është bashkëprodhim në mes të ‘Komplizen Film’- Gjermani, ‘Ikonë Studio’- Kosovë dhe ‘Frakas’ nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.