Filmi “Exil” i Visar Morinës është kandidati i Kosovës për çmimet OSCAR 2021  

Filmi “Exil” i Visar Morinës është zgjedhur për ta përfaqësuar Kosovën në garën e çmimeve OSCAR për 2021.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur përmes faqes zyrtare të saj në Facebook se filmi “Exil”  i Visar Morinës është kandidati i Kosovës për OSCARS 2021.

Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve OSCARS, që zgjodhi kandidatin kosovar për OSCARS 2021, ishte e përbërë nga kineastë kosovarë: Sevdije Kastrati, Alban Ukaj, Kaltrina Krasniqi, Bujar Kabashi, Doruntina Basha, Ilir Gjocaj, dhe Kreshnik Keka Berisha.

Filmi “Exil” u përzgjodh nga komiteti selektues që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë “Best International Feature”.

Sipas këtij komiteti filmi ‘Exil” është një portret i mprehtë i gjeneratës së integruar të emigranteve, gjenerate kjo që rrallë e shohim në film, të cilët pavarësisht arritjeve personale rrallë lirohen nga ndjenja e të qenit të huaj.

“Konsiderojmë se ky film flet në mënyrë shumë universale, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që largohen nga vendlindjet e tyre për të gjetur qytete të reja që kurrë nuk u shndërruan në shtëpi.  Ekzili shtynë për një dialog aq të munguar mbi politikat e mikpritjes.” ishte deklarata e komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit”, thuhet në vlerësimin e komitetit selektues, për filmin “Exil”.

Në gusht “Exil” fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Sarajevës, Zemrën e Sarajevës në kuadër të kategorisë kryesore.  Ndërsa në janar dhe shkurt filmi shfaqi premierën botërore dhe atë evropiane në Sundance dhe Berlinale.

Filmi përcjellë Xhaferin me origjinë nga Kosova (luajtur nga Misel Maticevic), një inxhinier i kimisë që jeton në Gjermani, i cili dyshon që është bërë shënjestër e kolegëve të tij racistë.

Filmi “Exil” është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, prodhuar nga Komplizen Film – Gjermani, Ikonë Studio – Kosovë dhe Frakas nga Belgjika.