Filmat për të cilat u intervistua kryetari i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc nuk do të shfaqen deri në një kohë të pacaktuar

Gjatë ditës së djeshme Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu kishte reaguar pas arrestimit të kryetarit të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili.

Sipas tij, arrestimi i Ismailit ishte bërë rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës, e që kryetari i Shtëpisë së Kulturës i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij i cili parashihet të niste sot.

E gjatë ditës së sotme, deputeti Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se kryetari Ismajli është liruar ndërsa filmat nuk do të shfaqen deri në një kohë të pacaktuar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kamberi thotë se qëllimi i intervistimit të Ismajlit ishte sulm ndaj kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar.

“I paqartë është motivi i angazhimit kaq të madh i policisë në Bujanoc për të marrë në bisedë informative dhe për të ndaluar premierën e dy filmave të aktorëve shqiptarë një ditë para se ata të shfaqen. Edhe më e paqartë është frika që ata kanë nga përmbajtja e filmave që as nuk i kanë parë. Parandaluan premierën për pretendimin rreth përmbajtjes në vend që të lejonin që përmbajtjen ta mësojnë nga premiera”- ka shkruar Kamberi.

“Heshtje vret” dhe “I pabesi” janë emrat e dy filmave të ndaluar ndërsa Kamberi thotë se emrat e këtyre filmave sikur edhe dërgojnë një porosi.

“Për të mos na vrarë heshtja duhet të flasim e veprojmë. Prandaj në cilësinë e deputetit popullor do të i drejtohem institucioneve përgjegjëse për të kërkuar sqarime rreth këtij veprimi të shëmtuar dhe do të njoftojë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare për veprimet që ushtrohen ngaj shqiptarëve të Luginës. Filmat do t’i shohim. Në premierën edhe më të madhe se sa do të ishte kjo e sodit”- përfundon njoftimi i Kamberit.

Jetmir Ismaili, kryetar i Shtëpisë së Kulturës ditë më parë bërë të ditur se të shtunën do të shfaqet filmi “Heshtja vret” dhe “I pabesi”.

“Collesseum Production shfaqë premierë filmi “HESHTJA VRET” dhe “I PABESI” më datë 10.06.2023 (e shtunë)  në Shtëpinë e kulturës në Bujanoc me fillim nga ora 19:00″- kishte shkruar Ismaili në Facebook.