Foto: Atdhe Mulla

Filmat kosovarë, korrin suksese jashtë, por nuk shfaqen brenda vendit

Ka dy javë që filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit mori tri çmimet kryesore në “Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Filmin” e këtij filmi, audienca kosovare ka arritur ta krijoj në mendje vetëm përmes përshkrimit të konceptit të tij dhe një fotografie-ballinë. Por, ky nuk është filmi i parë që shumë adhurues të filmit në Kosovë kërkojnë ta shikojnë e që nuk kanë mundësinë ta shohin as në kinema e as formate tjera.

Shumica e filmave, prodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) e të cilët paguhen nga buxheti i qytetarëve, nuk shfaqen askund përpos festivaleve dhe rrallëherë në platforma online, televizione apo kinema. Vetëm vitin e kaluar, kjo Qendër kishte rreth 810 mijë euro buxhet, ndërsa në vitin 2019 kishte buxhet të ndarë nga Ministria e Kulturës prej rreth 1.2 milion eurove.

Sipas ekspertëve të filmave, faji qëndron tek mungesa e revitalizimit të kinemave, papërgjegjësisë së QKK-së, mungesës së bashkëpunimit të QKK-së me televizionin publik e mungesa e buxhetit.

Producenti Eroll Bilibani tha për KALLXO.com se përgjegjësinë për shfaqjen e filmave e marrin shtëpitë e produksionit.

Bilibani tha se produksionet janë të obliguara që të organizojnë shfaqjen publike, që mund të ndodh në festivale të ndryshme lokale dhe pas turnit të parë në festivale, të shfaqen edhe në kinematë ekzistuese në Kosovë. Sipas tij ky problem mund të zgjidhet përmes bashkëpunimeve me televizionin publik.

“Mendoj që ky problem është kompleks por që mundet të zgjidhet përmes një ndërlidhjeje ku televizioni publik merr pjesë në bashkëfinancim të filmave ose mbulim me pajisje filmike, praktikë kjo që aplikohet në shtetet nordike, e në Gjermani, Holandë etj., përmes komisionerit të filmave, e që në fakt mund ta pasurojë buxhetin kinematografik si dhe të garantojë shfaqje të këtyre filmave tek transmetuesi publik”, tha Bilibani.

Sipas tij, shumat momentale të mbështetjes së filmave krijojnë nevojë për financim më të shtuar nga ana e koproducentëve ndërkombëtar, e cila pastaj mund edhe të krijoj përkufizime në distribuimin e filmave për shfaqje publike.

Modele të tilla aplikohen tek transmetuesit publik në shtete të ndryshme si BBC, SVT, DR, HRT dhe këto pastaj sigurojnë shfaqjen e filmave në kanale të ndryshme të televizionit publik.

Producenti tha se një nga problemet shumë të theksuara, është edhe çështja e mungesës së rrjetit të distributorëve, që njëkohësisht reflekton në distribuimin e filmave tek audiencat lokale.

“Kjo është një çështje që kërkon ndoshta një koordinim më të mirë ndërsektorial, sepse ka raste kur filmat me elemente edukative, mund të distribuohen edhe për shfaqje në shkolla ose me organizim të vizitave të nxënësve në ato qytete ku ekzistojnë kinematë, që do të mundësonte edhe krijimin e një burimi të ri për financimin e filmit”, u shpreh drejtori i DokuFest-it.

Bilibani njëherazi edhe drejtor i Doku-Fest-it tha se si producent dhe distributor i filmave dokumentar, mendon që aspekti i distribuimit nuk duhet parë bardhë e zi, sepse kjo varet edhe nga kualiteti i filmit dhe përshtatshmëria për audienca të caktuara.

Sipas nenit 9 të Ligjit për Kinematografinë, për çdo film vendas apo të huaj që synohet të shfaqet publikisht, para se të ketë shfaqjen e parë në Kosovë, distributori, përkatësisht shfaqësi, duhet të merr lejen për shfaqjen publike të filmit nga Komisioni i Vizionimit të QKK-së.

Aktorja e shumë filmave kosovar që kanë korrë suksese të mëdha në festivalet botërore, Adriana Matoshi, protagoniste e filmit “Zana” i cili ishte kandidat për çmimin ‘Oscar’ tha për KALLXO.com se ka pas filma kosovar që janë shfaq në Cineplexx por që fatkeqësisht vetëm një numër i vogël njerëzish kanë arritur t’i shohin.

“Kisha dashtë që në çdo qytet të ketë kinema e me i pa filmat tanë. Isha kanë njeriu ma i lumtur që të vlerësohem njëherë nga njerëzit tanë e mandej nëpër botë”, u shpreh Matoshi.

E për këtë problem regjisori Ben Apolloni e fajëson Qendrën Kinematografike të Kosovës, që sipas tij mungesa e shfaqjes së filmave për audiencën kosovare, është një nga dështimet e saj më të mëdha.

“Me vite ka që unë flas e bërtas për këtë problem. Ky është një nga dështimet e QKK-së, që në vend se të punojë për krijimin e kushteve për artistët, për rivitalizimin e kinemave (për çka është e obliguar me Ligjin për Kinematografi), stafi i QKK-së vetëm rri, shëtitet dhe merr rroga një vit për një konkurs për projekte”, u shpreh Apolloni.

Sipas tij, mungesa e kinemave e ka pamundësuar shfaqjen e filmave nëpër Kosovë, duke e cilësuar këtë si borxh ndaj shikuesve-taksapaguesve të Kosovës.

“Por ky faj bie kryekëput mbi menaxhmentin e QKK-së, sepse artistët kanë dëshirë dhe interes që filmat e tyre të shihen sa më shumë nga audienca vendore”, tha regjisori.

Ai tha që QKK që nga themelimi i saj nuk është marrë asnjëherë me rivitalzimin e kinemave dhe se industria e filmit nuk mund të ekzistoj kur nuk ka vend të ekspozimit e shfaqjes.

Të gjithë fajin për këtë situatë ia lë emërimeve politike, që sipas tij njerëzit në krye të institucioneve zgjidhen partiakët e jo profesionistët.

“Por uroj e shpresoj që qeveria e ardhshme, do të reagoje shpejtë dhe do ta çlirojë QKK-në nga ky menaxhment i dobët”, tha Apolloni.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në QKK lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Në mesin e shumë filmave që po vazhdojnë me suksese nëpër botë e nuk janë të qasshëm për audiencën kosovare, janë filmi i metrazhit të gjatë ‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, do ta ketë premierën botërore në festivalin ndërkombëtar të filmit të Roterdamit (IFFR) në Holandë; filmi i regjisores More Raça, ”Galaktika e Andromedës” i cili është pranuar në konkurrencën zyrtare në edicionin e 32 të festivalit të filmit në Trieste të Italisë, ‘Tireste Film Festival”; filmi “Exil” i Visar Morinës i cili përpos sukseseve në festivale nëpër botë ishte edhe kandidat për OSCAR 2021.