Skenë nga filmi ‘Pa vend’. Foto: QKK

Filmat e regjisorëve kosovarë shfaqen në festivalin e filmit në Kanada

Gjashtë filma artistik të shkurtër kosovarë, do të shfaqen këtë muaj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “Regard” në Saguenay të Kanadasë.

Këta filma do të shfaqen në kuadër të programit special “’DokuFest’-in: Zërat e rinj të Kosovës” të kuruar nga regjisori Samir Karahoda.

“Programi përbëhet nga dy filma të shkurtër të cilët janë realizuar përmes shkollës së filmit të ‘DokuFest’ ‘Future is Here’ qëllimi i së cilës është të fuqizojë të rinjtë, dhe katër filma nga regjisorë kosovarë të cilët kanë marrë vëmendje si rajonale ashtu dhe ndërkombëtare për mjeshtërinë e tyre”-thuhet në njoftimin e “DokuFest-it”

Filma që do të shfaqen në kuadër të këtij programe në festivalin “Regard”, janë “Prishtinë, 2002″ (2022), regji nga Trëndelinë Halili, ‘Time” (2021), me regji të Endri Malokut, “Four Pills at Night” (2021), me regji nga Leart Rama, “Gardhi” (2018), me regji të Lendita Zeqiraj, “Prison Romance” (2022), me regji nga Denisa Minci, “Pa Vend” (2021), me regji nga Samir Karahoda.

Edicioni i 27-të i Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër “Regard” do të mbahet nga 22 deri më 26 mars 2023 në Saguenay të Kanadasë.

Viteve të fundit kinematografia ka shënuar suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare. Shumë filma të regjisorëve kosovarë janë shpërblyer me çmime në festivalet më të njouhra botërore.