Fillon zgjerimi i sheshit “Adem Jashari” në Skenderaj

Projekti për zgjerimin e sheshit ‘Adem Jashari’ në Skenderaj ka filluar sot.

Ashtu siç bëhet e ditur, zgjerimi do të filloj nga cepi afër shtatores në drejtim të shkollës fillore “Shaban Jashari”.

Më këtë rast, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari e ka vlerësuar si një ndër projektet më të mëdha për qytetarët e kësaj komune.

“Së bashku me zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Esat Raci dhe qytetarët, përuruam fillimin e këtij projekti për çka nuk mund të fsheh faktin se jam tejet i lumtur për nisjen mbarë të punimeve që do të vijojnë pa pushim, deri në realizimin përfundimtar të imazhit të ri të qytetit tonë, një hapësirë ku do e gjejnë vetën të gjitha gjeneratat”, citohet të ketë thënë Jashari, të mërkurën.

Ky projekt ka vlerën 179.045,64 euro. E njëjta kishte vlerën e parashikuar 190.906,00 euro.

Më 12 gusht është njoftimi për dhënie të kontratës. Tenderi në fjalë u besua operatorëve ekonomik DELTA – CCD SH.P.K.; N.N.T. A.B.C. ; A- Z Group SH.P.K.

Kohëzgjatja e kontratës është 120 ditë.

Zgjerimi i sheshit është projekt i bartur nga qeverisja komunal e kaluar.