Fillon votimi për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka filluar votimin për zgjedhjen e tetë anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Deputetët do të votojnë një kandidat për një pozitë, ndërsa sipas procedurave për një pozitë të anëtarit të bordit të RTK-së janë propozuar dy kandidatë.

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e bordit të RTK-së ka propozuar tetë kandidatë burra për katër pozita dhe tetë kandidate gra (vajza) për katër pozitat e tjera.

“Komisioni ka kryer punën sipas mandatit dhe këtë përzgjedhje e ka sjellë para jush. Po e them pa modesti – puna ka shkuar më shumë në aspektin profesional të bashkëpunimit dhe zgjedhjes korrekte dhe kështu duhet të dëshmohet në seancë plenare. Për katër pozita propozohen tetë kandidatë nga gjinia mashkullore, Bekim Sele, Ejup Gojonvci, Safet Kabashaj, Enis Halimi, Petrit Çollaku, Gazmend Vitaku, Driton Hetemi, Besnik Boletini prej tetë kanidatëve zgjidhen 4, ndërsa për katër anëtarë të bordit nga gjinia femërore propozohen Mejreme Krasniqi Sadiku, Mihanë Nartilë Salihu-Bala, Jehona Ademaj, Arta Berisha, Fatime Lumi-Qehaja, Teuta Hoxha – Morina dhe Shukrije Rama”, thuhet në arsyetimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Këtu mund t’i gjeni emrat e 18 kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së.

Në mes kritikave dhe debateve, Kuvendi i Kosovës kishte shkarkuar bordin e Radio Televizionit të Kosovës në korrik të këtij viti.

I iniciuar nga Komisioni për Media, shkarkimi i këtij bordi ishte bazuar në mosmenaxhim të mirë, dështim për të përpiluar një strategji afatgjate për zhvillimin dhe financimin e RTK-së, si dhe moslejimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditim të këtij institucioni.

Pas shkarkimit, Kuvendi kishte hapur konkurs për tetë pozita të lira për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, në të cilin konkurs konkuruan 127 kandidatë.

Kuvendi më pas formoi komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Ky komision gjatë javës së kaluar ka rekomanduar 18 kandidatë të cilët pritet të votohen në Kuvendin e Kosovës.

Kush janë kandidatët e rekomanduar për bord të RTK-së?