Vaksinimi i personelit shëndetësor - Ferizaj, 03.04.2021 - FOTO Diellza Luzha - KALLXO

Fillon vaksinimi i personelit shëndetësor në Ferizaj

 

Mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës në komunën e Ferizajt kanë filluar të vaksinohen sot me vaksinën AstraZeneca, vaksinë kundër coronavirusit COVID-19.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Abetare Kurti- Maliqi në një prononcim për KALLXO.com konfirmoi së vaksinimi me AstraZeneca ka filluar sot.

“Një herë do të vaksinohen stafi shëndetësor që punojnë në spital. Çdo një orë vijnë grupet nga 10 persona, telefonohen që me ardh me marr vaksinën”, tregoi ajo.

Sipas drejtoreshës, brenda ditës pritet të vaksinohen diku 110 persona – staf shëndetësor.

Kurti- Maliqi potencoi se vaksinimi është duke u bërë në QKMF 1 në Ferizaj.

Infermierja, Genta Hajdini, thotë se deri më tani asnjëri nga të vaksinuarit nuk ka shfaq reaksione.

“Deri në këtë moment që po flasim i kemi vaksinu 60 persona. Asnjë prej tyre nuk ka pas reaksione, secili prej tyre pas vaksinimit ka prit 15 minuta i kemi vëzhgu por nuk kanë pas reaksione”, tregoi Hajdini për KALLXO.com.

Kujtojmë se personeli shëndetësor në Ferizaj pati refuzuar të vaksinohet me vaksinën kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë.

Kosova ka pranuar kontigjentin e parë me vaksinën AstraZeneca më 28 mars, donacion nga UNICEF.

Dje Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se për tre ditë në Kosovë janë vaksinuar 1228 persona.

Në anën tjetër numri i rasteve pozitive me SARS-CoV-2 në nivel vendi është duke tejlakuar shifrat mbi 900 të infektuar brenda ditës.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.