(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Fillon takimi në Bruksel, Lajçak shpreson për zgjidhje sot

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka filluar takimi mes zëvëndëskryeministrit të Kosovës për dialog, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Përmes një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se shpreson që të arrihet një zgjidhje.

“Sot po pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i takimit tonë të nivelit të lartë. Shpresa ime e sinqertë është se ne do të arrijmë të gjejmë një zgjidhje sot për të de-përshkallëzuar tensionet në terren dhe për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve” – ka shkruar ai.

Për takimin që po mbahet sot në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka vullnet që brenda pak orëve të mbetura të arrihet marrëveshje për çështjen e targave.

“Sot në Bruksel ndodhet Besnik Bislimi dhe mbase do të ketë një takim në përpjekje që brenda këtyre 48 orëve  të arrihet dakordimi, ne kemi vullnetin e mirë dhe qëllimin për një marrëveshje. Nuk kemi as hatër mbetje dhe as inate, nuk sillemi me cinizëm e as ironi por me të vërtetën dhe të drejtën tonë” – ka thënë Kurti.

Të hënën në Bruksel u mbajtën disa takime mes palëve, përfshirë një takim trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti; presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Por takimet rezultuan pa marrëveshje për çështjen e targave.

Qeveria bëri edhe një plan për zbatimin e vendimit, sipas të cilit duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të jenë targat provuese për dy muaj të tjerë, dhe nga  21 prilli nuk mund të ketë më targa ilegale.

Më 20 nëntor, një ditë para fillimit të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, për shqiptimin e gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se shqiptimi i gjobave është shtyrë për një ditë dhe do të fillojë më 22 nëntor.

Në ditën kur ishte planifikuar të fillojë shqiptimi i gjobave, i cili u shty për një ditë, në Bruksel janë takuar presidenti i Serbisë me kryeministrin e Kosovës në një takim urgjent për të diskutuar për situatën e krijuar në Kosovë. Takimi që zgjati për disa orë rezultoi pa ndonjë zgjidhje.

Pas mesnatës, me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se afati për fillimin e shqiptimit të gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale do të shtyhet për 48 orë.