Gjykimi në rastin "Stenta 2", Foto: KALLXO.com

Fillon rishtazi gjykimi ndaj 38 të akuzuarve për rastin ‘Stenta 2’

Në Gjykatën e Prishtinës ka filluar rishtazi gjykimi kundër mjekëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Arsye për fillimin rishtazi të gjykimit ishe mos mbajtja e shqyrtimit gjyqësor për më shumë se tre muaj, si dhe për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues për arsye shëndetësore.

Andaj me pëlqimin e palëve u konsiderua si e lexuar aktakuza e Prokurorisë.

Tutje në seancë të akuzuarit së bashku me mbrojtësit e tyre u deklaruan secili veç e veç që qëndrojnë mbrapa fjalëve hyrëse të dhënë në shqyrtimin e më hershëm gjyqësor.

Në këtë seancë u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve Abaz Osmani, Shefket Abdullahu, Adem Ukaj, Nexhat Dragaj, dhe Bedri Haxhiaj.

Dëshmitarët para trupit gjykues secili veç e veç u deklaruan që mbesin në tërësi pranë dëshmive të tyre të dhëna në vitin 2019 për këtë rast.

Gjykimi do të vazhdojë ditën e nesërme me dëgjimin e 20 dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.