Fillon rishtazi gjykimi ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar


Ka filluar rishtazi gjykimi ndaj Agron Zymberit dhe 17 të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar”. Agron Zymberi dhe të tjerët po akuzohen nga prokuroria për krim të organizuar, shmangie nga tarifat doganore, kontrabandim me mallra dhe vepra të ngjashme.

Gjyqtari Ngadhnjim Arrni në fillim të seancës bëri të ditur se arsyeja pse gjykimi ka filluar rishtazi është për shkak se ka ndryshim në përbërje të trupit gjykues.

Andaj me pëlqimin e palëve u konsiderua si e lexuar aktakuza e Prokurorisë.

Po ashtu të gjithë të akuzuarit u deklaruan se ndihen të pafajshëm lidhur me akuzat e prokurorisë speciale.

Ndërsa sa i përket fjalëve hyrëse, prokurorja Bina Rugova tha se qëndron prapa fjalëve hyrëse të cilat janë dhënë paraprakisht, po ashtu edhe avokatët e të akuzuarve tjerë thanë që mbesin prapa fjalëve hyrëse të dhëna më herët.

Prokurorja Merita Bina Rugova propozoi që deklaratat e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, po ashtu lidhur me këtë propozim të prokurores u pajtuan edhe të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve dhe të pandehurit, andaj u konstatuan të lexuara.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se janë marrë në pyetje dëshmitarët po ashtu janë dëgjuar ekspertët nga dy ekspertiza dhe shqyrtimi gjyqësorë ka ngelur tek dëgjimi i ekspertëve nga super ekspertiza dhe ne nuk kemi pyetje të tjera për të lartcekurit andaj i propozoj gjykatës që deklarimet e tyre të konsiderohen të lexuara”- tha prokurorja Bina- Rugova.

Po ashtu Gjykata konstatoi se meqenëse palët janë pajtuar që të lexohen deklarimet e të gjithë atyre që u deklaruan më herët, trupi gjykues konstatoi se nuk ka kushte për vazhdim të seancës.

Shqyrtimi gjyqësorë i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit janar 2025.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special në përbërje nga trupi gjykues Ngadhnjim Arrni – kryetar i trupit gjykues, anëtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti.

Ky rast më parë gjykohej në Gjykatën e Mitrovicës, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Dosja e Prokurorisë Speciale

Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë rast të akuzuar janë: Agron Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Besnik Istrefi, Azem Islami,  Xhevat Spahija, Shkelqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri, Fadil Qollaku.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Zeqiri, së bashku me të pandehurit Millan Radisavleviq dhe Aleksandar Rakiçeviq (gjenden në arrati sipas aktakuzës) kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Prokuroria i akuzon të lartcekurit se në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara.

Periudha kohore për të cilën Prokuroria i akuzon te lartcekurit theksohet të jetë nga data 11.06.2014 deri më datë 10.12.2014.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë pjesëtarët e grupit kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12,000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10,000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7,000 litra).

Mallrat e lartcekura, sipas organit akuzues, ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 30,000 euro.

Sipas Prokurorisë këto mallra të kontrabanduara të sjella në Kosovë janë deponuar në lokacione të caktuara për t’u bërë më vonë shpërndarja e këtyre mallrave në tërë Kosovën.

Tutje sipas aktakuzës dorëzimin e mallrave e kanë bërë vartësit e të pandehurve Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqiri, Liridon Hyseni, Ali Musliukaj, Ridvan Avdiu, Canabeg Hyseni, Dukagjin Latifi dhe Gentrit Zymeri.

Me këtë Prokuroria për këto veprime të pandehurve i akuzon Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Millan Radisavleviq dhe Aleksdanar Radisavleviq (dy të fundit gjenden në arrati) kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa të pandehurit Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.