Fillon rinumërimi i 1.428 vendvotimeve

Në këto momente po fillon procesi i rinumërimit të 1.428 vendvotimeve pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Pasi e kemi marrë vendimin e PZAP-së dhe pasi kemi parë me vëmendje listën e vendvotimeve që duhet të rinumërohen, mund t’ju them se janë 1 mijë e 428 vendvotime që do të rinumërohen gjatë ditëve në vazhdim”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas këtij njoftimi, nga lista e PZAP-së 30 vendvotime ishin të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së.

Gabimi që çoi në rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në dy ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32.

“Në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces”, vazhdon njoftimi i KQZ-së.

Në njoftim thuhet se KQZ për të vëzhguar procesin e rinumërimit ka njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga një vëzhgues për secilën njësi numërimi.