Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Fillon qortimi për targat ilegale serbe, Sveçla iu bën thirrje qytetarëve të regjistrojnë automjetet

Menjëherë pas mesnatës, ka nisur së zbatuari vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, i marrë javën e kaluar, në lidhje me targat ilegale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje prapë qytetarëve se automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë  mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”- ka thënë Sveçla.

Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve të mos jenë peng, siç ka thënë ai, të interesave politike dhe grupeve kriminale.

“Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”- thekson ai.

Dje gjatë ditës, Policia e Kosovës ka bërë publike fletë-qortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Fletë-qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.

Këto fletë-qortime do të përmbajnë emrin dhe mbiemrin e shoferit, numrin personal, ditëlindjen, datën kur është ndalur, orën kur është ndalur, mjetin që po voziste e targat e mjetit.

Ministria e Punëve të Brendshme i kishte bërë thirrje prapë dje qytetarëve që automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.

MPB ka thënë se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Tutje në njoftim u rikujtua prapë që të premten, më 28 tetor 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin me të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza.

I gjithë ky proces i regjistrimit, që ishte i paraparë të përfundonte dje, 31 tetor 2022, pritet që të përmbyllet me datë 21 prill 2023.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Masa e qortimit është vendosur që të përfundojë më 21 nëntor 2022. E më pas nga kjo datë e deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale është vendosur që të shqiptohen gjobë sipas legjislacionit në fuqi.

Gjobat që parashihen të shqiptohen për dy muaj radhazi do e kenë lartësinë prej 150 euro.

Pas përfundimit të kësaj faze, vendimi i Qeverisë parasheh që nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat ilegale për të hyrë dhe për të qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese.

Qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale, edhe gjatë kohës që pajisjen me targa provuese do t’i mundësohet regjistrimi në targa RKS, me lehtësirat e parapara.

Këto lehtësira është thënë se janë në taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

Më pas për një muaj, nga data 31 mars 2023 deri më datë 21 prill 2023, automjetet që do të regjistrohen me targa RKS nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara.

Krejt në fund të këtij procesi, pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa ilegale brenda territorit të Republikës së Kosovës.

MPB tha se duan që të sigurojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtet, rritjen e sigurisë në trafik dhe se ky vendim nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës sa i përket masave të reja për targat ilegale.

Sipas BE-së, Kosova mund t’i heq gradualisht tabelat KM, por duhet procesi të shkojë me dialog.

“Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative” – thuhet nga BE.

Sipas BE-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

“Derisa, vendimi është një hap në drejtimin e duhur, nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët” – thuhet më tej në komunikatë.

Sipas BE-së, marrëveshja e vitit 2016 parashikonte proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur.

BE thonë se është zhgënjyese të shohësh se Kosova nuk ndoqi këshillën e partnerëve për periudhë më të gjatë tranzicioni.

“Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur” – thuhet nga BE.

Edhe Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të ndërkombëtarë për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj, ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill gjatë një debati në Konferencën e sigurisë në Beograd, se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike janë lënë anash tema të mëdha.

 

Fillon qortimi i pronarëve të automjeteve me targa ilegale serbe

Kështu duket fletëqortimi që do të marrin shoferët e automjeteve me targa ilegale (FOTO)