Fillon punën Komisioni Hetimor për hidrocentralet
Është themeluar Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovë.
Ky komision përbëhet nga Eliza Hoxhaj- kryetare, Haxhi Avdyli- nënkryetar, dhe anëtarët: Bajrush Xhemaili, Visar Hoti, Besa Gaxherri, Shpejtim Bulliqi, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Rasim Demiri dhe Zikreta Halili.
Funksionimi i këtij komisioni do të jetë 3 mujor.
Besa Gaxherri, anëtare e këtij komisioni, ka kërkuar se si komision të pajisen me të gjithë dokumentacionin e mundshëm të të gjitha hidrocentraleve në Kosovë.
“Kërkoj nga ju qe të ju dërgojmë shkresa institucione të na pajisin me licencat, listat e dokumentacionin për hidrocentraleve dhe më pas të vendosim që kë ta ftojmë fillimisht në raportim”, tha Gaxherri.
Gjithashtu kjo deputete ka propozuar që takimet e komisionit të organizohen 2 herë në javë për shkak të kohës së kufizuar.
Shpejtim Bulliqi, anëtar i këtij komisioni, tha se Kosova gjendet para një krize ujore për shkak të kapaciteteve të pakta.
“Rrjedhat ujore në Kosovë kanë pësuar transformime dhe njëra ndër to është ngritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme prej hidrocentraleve. Terreni i Kosovës është terren i cili ka pak të reshura dhe jemi në kufirin e krizës për ujë”, tha ai.
Edhe anëtari tjetër Artan Abrashi tha se në këtë komision nuk duhet të kufizohen vetëm me ftesa për institucionet qendrore.
Abrashi propozoi që të ftohen edhe institucionet lokale dhe operatoreët ekonomik të cilët janë në proces ose kanë ndërtuar hidrocentrale.
“Unë kërkoj që nga mbledhja e ardhshme të kemi një listë të personave që do t’i ftojmë në raportim. Kërkoj që kjo listë të mos kufizohet vetëm në institucionet e nivelit qendror por të ketë edhe nga niveli lokal e pse jo edhe investitorët. Gjithashtu kërkoj që të kemi qasje të plotë në dokumentacionet që do të na duhen për nxjerrjen e një raporti pas tre muajsh kur edhe obligohemi të dalim me një raport”, ka propozuar ai.