
Fillon publikimi i rezultateve preliminare për zgjedhjet në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës 09.02.2025.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, prin me vota LVV-ja, pasuar me PDK-në, LDK-në, AAK-në e Nismën, Listën Serbe, e Koalicionin për Familje.
Por sipas të dhënave që u publikuan në ueb-faqen e KQZ-së, tregohet se ky institucion ia ka huqur me përditësimin e të dhënave për qytetin e Pejës. Në të dhënat e KQZ-së për qytetin e Pejës, figuron që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 96.44% të votave, nga 16.67% të votave të numëruara.
Kjo përqindje, në numër, sipas të dhënave të KQZ-së ishin 113,371 vota. Të njëjtat rezultate menjëherë kanë filluar të shpërndahen në TikTok e rrjetet tjera sociale.
Ndërsa, të dhënat e KQZ-së për pjesëmarrjen në votime, në Pejë kishin marrë pjesë 41,009 persona. Kjo konstaton se ka të dhënat e vendosura në ueb-faqen e KQZ-së nuk ka mundësi të jenë të sakta.
Pas kësaj situate, në një reagim KQZ-ja tha se për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem.
“Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”- tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KALLXO.com.
Ai shtoi se KQZ-ja është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet.
“Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ”- shtoi ai.
Ndiqni rezultatet direkt minutë pas minute:
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Sipas të dhënave në procesim të KQZ-së, deri në ora 19:00 e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës 40.35 për qind e qytetarëve ose 795,205 votues nga 1,970,944 gjithsej me të drejtë vote. Procesimi i të dhënave ende nuk ka mbaruar. Deri më tani janë procesuar 91.59 për qind e votave.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.