Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fillon periudha e votimit për votuesit jashtë Kosovës nga komuna e Dragashit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për rundin e dytë për Kryetar të Komunës së Dragashit.

Sipas njoftimit të KQZ-së, fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021.

Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Fletëvotimi, procedura dhe çështjet që duhet t’i kenë parasysh votuesit janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, në pjesën Shërbimet e KQZ-së – Votimit përmes postës, apo duke klikuar në këtë link

“Meqenëse të gjithë votuesit e regjistruar nga kjo komunë si votues jashtë Kosovës kanë aplikuar përmes e-mailit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka njoftuar personalisht përmes e-mailit për periudhën e votimit dhe për detajet tjera”, ka njoftuar ky institucion.

Procesi i votimit nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 15 nëntor në Dragash, do të përsëritet pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, kandidati i PDK-së kishte fituar në rundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash me 50.21 për qind të votave, apo pesë mijë e 648 vota, duke lënë pas kandidatin e LDK-së, i cili kishte 49.79 për qind apo pesë mijë e 601 vota.