Fillon përgatitja e terrenit për gërmimet në kampusin e UP-së

Në kampusin e Universitet të Prishtinës kanë filluar sot parapërgatitjet për gërmimet të cilat do të fillojnë nesër në mëngjes pas dyshimeve të ngritura për mbetje mortore të kohës së luftës.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njëri nga anëtar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Kushtrim Gara, i cili ka thënë se gërmimet fillojnë nesër në mëngjes.

“Gërmimet fillojnë nësër, dhe prononcimet për medie do të jenë nësër. Sot ka vetëm përgatitje të terrenit”, ka thënë Gara.

Këto gërmime do të fillojnë pasi që aty dyshohet se ka varrezë masive.

Këtë e ka konfirmuar të premten edhe Drejtorit të Institutit Mjekësor Ligjor, Arsim Gërxhaliu.

“Po të martën në orën 9 në mëngjes nisin gërmimet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës. Gërmimet janë me urdhëresë të prokurores Drita Hajdari në një lokacion afër vendit ku ka pasur gërmime edhe para 2- 3 viteve. Kemi një të dhënë të re ku në atë vend pretendohet se ka diçka pasi që në të njëjtin vend banorët kanë thënë se kanë parë eskavatorë që kanë punuar gjatë natës”, tha Gërxhaliu për KALLXO.com.

Ai shtoi se në momentet që vjen ndonjë e dhënë për ndonjë lokacion të ri që dyshohet se mund të ketë varrezë detyrohen që si institucion të hulumtojnë.

“E kemi për detyrë, pastaj do të shohim nëse do të dalë ndonjë gjë apo jo”, tha Gërxhaliu për KALLXO.com.

Tri vite më parë, më saktësisht më 28 korrik të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pati njoftuar se kishte përfunduar një operacion i kërkimit të varrezave masive që dyshohej se gjendeshin në kampusin universitar të UP-së.

Në atë kohë, sipas Prokurorisë Speciale, gjatë gërmimeve në tri lokacione të ndryshme nuk është gjetur as varrezë masive, as ndonjë mbetje mortore.

“Pas përfundimit tё gërmimeve vlerësuese nё hapësirën e kampusit tё Universitetit tё Prishtinës edhe nё pikën e tretë dhe tё fundit si vend i dyshuar për mbetje mortore, pёr dy ditё me radhë, nuk janë gjetur mbetje mortore”, pati thënë Prokuroria Speciale.

KALLXO.com, ka raportuar vazhdimisht për gërmimet në kampusin e UP-së.

Tri Vende të Dyshuara për Varrezë Masive në Kampusin e UP-së

Përfundojnë Gërmimet, Nuk Ka Varrezë Masive