Ministria e Financave

Fillon pagesa për përfituesit e Pakos nga familjet që nuk kanë asnjë të punësuar

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se sot ka filluar ekzekutimi i pagesave për Pakon Emergjente Fiskale, për pëfituesit e masës 15, që janë familjet që nuk kanë asnjë të punësuar.

Sipas Masës nr.15 të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130) euro për periudhën Prill-Qershor 2020, e kanë familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), aplikanti është i lajmëruar si i papunë në institucionin kompetent dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të ministrisë, përfitues të kësaj mase janë 5,559 persona, pas verifikimit të një pjese të aplikacioneve dhe aprovimit të tyre.

Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se është duke u punuar për shqyrtimin e aplikacioneve të tjera dhe pagesat janë duke u kryer në vazhdimësi.

“Përfituesit të cilët janë lajmëruar përmes mesazheve telefonike luten që:

Tërheqjen e mjeteve ta bëjnë në Postën e Kosovës, në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e COVID-19; dhe  Gjatë tërheqjes së mjeteve të respektohen rregullat e distancës sociale dhe të merren masat mbrojtëse, sipas specifikave të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të Ministrisë së Financave.