Fillon pagesa e skemës së ndihmës sociale, përfituesve u kërkohet të respektojnë masat kundër COVID-19

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se sot ka bërë pagesën e skemës së ndihmës/asistencës sociale për të gjithë përfituesit e saj, përkatësisht për 24,967 familje.

Kjo Ministri në njoftimin e saj ka bërë të ditur se në zbatim të pakos emergjente (pika 1.1) si dhe vendimit të ministrit të Financave dhe Transfereve përfituesit e skemës së ndihmës sociale marrin pagesë të dyfishtë edhe për muajin prill 2020, duke bërë që vlera totale e pagesës së dyfishtë për këtë muaj të jetë 5,251,027.50 euro.

“Prandaj, luten përfituesit që të kenë kujdes të shtuar dhe ndjekin këto udhëzime shtesë, për të ruajtur shëndetin tuaj, luteni që: Tërheqja e mjeteve të bëhet në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e corona virusit; apo Të shtyni tërheqjen në ditët në vijim për aq sa është e mundur, pasi që zyrat postare dhe degët bankare janë të furnizuara mirë me para të gatshme dhe secili do të ketë mundësi të bëjë tërheqjen”, vijon njoftimin i MFT-së.