
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Fillon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë - KQZ pa datë se kur përfundon procesi
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se sot (11.02.2025) ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Ai në një konferencë për media ka thënë se do të verifikohen edhe votat e subjekteve politike.
“Sot KQZ po fillon procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Në qendrat komunale të numërimit do të bëhet verifikimi votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifkim është paraparë me aktet nënligjore dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare”– deklaroi Elezi.
Tutje ai tha se një herë procesi i numërimit ka filluar në Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.
“Procesi i numërimit në Qendrat e Komunave të tjera planifikohet të filloj pasi të bëhen përgatitjet e duhura teknike dhe administrative. Lidhur me numërimin e votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, dhe atyre jashtë Kosovës do të bëhet në një fazë të mëvonshme pasi të përfundoj numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit”– ka shtuar ai.
Valmir Elezi tutje ka thënë se KQZ do të bëjë një proces vlerësimi për pakot me votat nga diaspora.
Për numërimin e tyre, ai nuk ka dhënë afat kohor se kur do të filloj por thotë se kjo do të ndodhë më vonë.
“Për votimin jashtë Kosovës ishin regjistruar 104 mijë e 924 shtetas, sipas të dhënave preliminare numri i votave në përfaqësi diplomatike është 15 mijë e 352, përmes postës janë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime. Numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në KQZ kanë arritur pjesa më e madhe pakove me fletëvotime nga jashtë. Përmes procesit të vlerësimit bëhet verifikimi nëse një pako është dërguar nga një votues i cili është regjistruar si votues jashtë Kosovës. Në një pako, dërgesa duhet te jetë individuale, nëse në pako ka më shume zarfe atehëre nuk do të procedohen dhe të përfshihen në rezultate”– ka deklaruar Elezi.
Tutje ai ka shtuar se nuk mund të dihet saktë se sa do të zgjasë procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
“Vështirë të parashikohet sa do zgjasë numërimi i një vendvotimit varet nga numri i votuesve në vendvotim. Besojmë që brenda pak dite do të arrijmë ta përmbyllim këtë proces por pa dashur që të japim ndonjë afat të caktuar”– shton ai.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garuan 1280 kandidatë, nga 28 subjekte politike.
Katër partitë më të mëdha në vend, të cilat njëherësh fituan më shumë vota: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Koalicioni i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)-NISMA-Konservatorët- Intelektualët-Lista Ideal patën nga 110 kandidatë për deputetë.
Ndërsa, Koalicioni për Familjen, parti që nuk e kaloi pragun sipas rezultateve preliminare pati 72 kandidatë për deputetë.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse për deputetë. Prej tyre 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq 10 ulëse të tjera janë për pakicat e tjera. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutë.