Punimet në Urën e Ibrit, 12.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Fillon ngjyrosja e pjesës së sipërme të Urës së Ibrit
Ka përfunduar ngjyrosja e mureve nën Urën e Ibrit, e cila kishte nisur më 07.08.2024.
Punëtorët e ndërmarrjes “Arbotec”, sot, më 12.08.2024, kanë filluar ngjyrosjen mbi urë.
Te ura janë parë forca të EULEX-i, karabinierëve italianë edhe Policisë së Kosovës.
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, sipas paralajmërimeve të Qeverisë, së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve.
A është mjaftueshëm stabile kjo urë për qarkullim të automjeteve pritet të dihet më 13.08.2024, përmes një raporti të përpiluar nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet e saj.
Raporti pritet së pari t’i dorëzohet Ministrisë së Infrastrukturës më 12.08.2024, tha për KALLXO.com, zëvendësministri Hysen Durmishi.
“Nesër del raporti. Na e dërgon kompania, e na (Ministria) e publikojmë”- tha Durmishi.
Qeveria, të cilës i prin Albin Kurti, së fundmi dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të.
Më 08.08.2024, Durmishi kishte thënë për media se brenda dy- tri ditëve e presin raportin final pas testimeve dhe matjeve në Urën e Ibrit.
“Ka qenë me procedurë të përshpejtuar. Pak kompani kanë pajisje të tilla për matjen e stabilitetit të urës. Janë përfunduar të gjitha procedurat, është nënshkru kontrata, kemi fillu punimet dhe besoj që sot përfundon testimi, brenda dy-tri dite e presim raportin final” -kishte thënë Durmishi.
Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Madje, të martën, më 06.08.2024, punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje.
Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.
Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.
Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.
Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti, më 18.07.2024, një ditë pas takimit paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT për këtë çështje.
Për të parin e vendit, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.
Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.
“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.
BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.