Fillon ndërtimi i QMF-së në lagjen Arbana në Prizren

Lagjja Arbana në qytetin e Prizrenit do të bëhet me Qendër të re të Mjekësisë Familjare.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se sot ka filluar ndërtimi i kësaj qendre, e cila sipas tij do të përfundojë për 5 muaj.

Ky objekt do të jetë dy katësh dhe  do ta zëvendësojë atë të mëparshmin.

“Me rastin e fillimit të punimeve, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, vizituam hapësirën ku do të ndërtohet kjo QMF me sipërfaqe prej 553 m², e cila do të ketë kapacitet të mjaftueshëm për t’i përballuar kërkesat e të gjithë banorëve të kësaj lagjeje për kontrolle mjekësore. Deri në përfundim të punimeve, që parashihet të zgjasin rreth 5 muaj, banorët e Arbanës do të mund t’i kryejnë të gjitha shërbimet shëndetësore në Qendrat tjera të Mjekësisë Familjare përreth”, ka shkruar Haskuka.

Në muajin shtator, kryeshefi i mjekësisë familjare në Prizren, Arsim Berisha, ka njoftuar se banorët e lagjes Arbana dhe fshatrave  Atmaxhë dhe  Landovicë  se nga data 21 shtator 2020 shërbimet shëndetësore mund ti marrin në QKMF Prizren dhe QMF Jeta e Re.