Fillon mësimi plotësues në shkollat e Kosovës

Bazuar në vendimin e datës 20 prill 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), sot ka filluar mësimi plotësues për nxënësit që kanë pasur ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19.

Sipas një njoftimi për media, shumica e drejtorive komunale të arsimit i kanë dërguar në MAShTI raportet e tyre, të cilat konfirmojnë se ky proces ka nisur ashtu siç është paraparë. Drejtoritë komunale të Arsimit do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues.

“Mësimi plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë COVID-19, po organizohet në të mirë të këtyre fëmijëve. Prioritet i MAShTI mbetet përmirësimi i rezultateve dhe dëmeve të shkaktuara nga pandemia. MAShTI do të jetë në mbështetje të mësimdhënësve dhe nxënësve që ky proces të ketë sukses”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, mësimi plotësues po organizohet në objekte shkollore dhe do të vazhdojë deri në përfundim të vitit shkollor 2020-2021.

Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë COVID-19, rreth 32 mijë nxënës nuk kishin ndjekur mësim nga distanca.

Likaj: Rreth 32 mijë nxënës s’janë përfshirë në mësimin nga distanca

.