Fillon mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Lubjanë

Ambasada e Kosovës në Slloveni ka njoftuar se nga sot do të fillojë mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Lubjanë.

“Iniciuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni”, të mërkurën ka nisur zyrtarisht mësimi plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e shkollës fillore në Lubjanë. Në ceremoninë e zhvilluar më këtë rast ishin të pranishëm Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, Ambasadori i Shqipërisë, Pëllumb Qazimi, drejtuesit e Shoqatës “Migjeni”, prindërit dhe disa prej nxënësve që do të ndjekin mësimin plotësues”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se ambasadori i Kosovës në këtë shtet, Avni Kastrati ka përgëzuar shoqatën “Migjeni”, fëmijët dhe prindërit, për nisjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe duke shprehur mbështetjen e plotë të Ambasadës së Kosovës në Slloveni.

“Të pranishmit i kanë përshëndetur edhe Ambasadori i Shqipërisë, Pëllumb Qazimi si dhe kryetari i Shoqatës “Migjeni”, Martin Berishaj. Me këtë rast, mësuesja Shyhrete Kelmendi, e cila do të mbaj mësimin plotësues në gjuhën shqipe, ka bërë dorëzimin e librave dhe fletoreve të punës për nxënësit si dhe ka mbajtur orën e parë të mësimit në objektin e Shoqatës “Migjeni” në Lubjanë”, përfundon njoftimi.