Fillon mbledhja e KQZ-së: Daka lexon shkresat e KGJK-së për verifikimin e kandidatëve

Para pak minutave ka vazhduar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas një pauze e cila zgjati më shumë se një orë ndërsa rikthimi në mbledhje do të bëhet me të vetmen pikë, certifikimin ose jo të gjithë kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Meqë u ngritën dilema për shkresën e KGJK-së, që të bëhet verifikimi i kandidatëve që kanë aktvendime të plotfuqishme kam kërkuar që të na tregohen nëse kanë qenë shënimet e sakta dhe nëse ka gabime”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në mbledhje.

Ajo madje ka lexuar edhe shkresën të cilën e ka dërguar në Këshillin Gjyqësor dhe përgjigjen që ka marrë nga ta për verifikimin e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Bazuar në kërkesën e QKZ të datës 18 janar 2021 dhe kërkesës për verifikim të kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 14 shkurtit, verifikimi i kandidatëve është bërë në bazë të të dhënave që i disponon data baza e KGJK. Në këtë data bazë regjistrohen të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme penale nga gjykatat e vendit. Kemi kërkuar nga të gjitha gjykatat e vendit kemi kërkuar konfirmim me shkrim se të dhënat e sistemuara në sistem janë të sakta”, ishte përgjigja e KGJK-së drejtuar KQZ-së.

Ylli Buleshkaj, drejtor i zyrës për certifikim të partive politike në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët.

Ai tha që për shkak të konfuzitetit me pikën që të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Kemi kërkuar shkresa nga institucionet e ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmu disa na kanë konfuzu, ajo çka vlen të theksohet është që zyra nuk ka arrit me zbatu plotësisht në bazë të shkronjës q të nenit 29 për shkak të interpretimeve të ndryshme, ne rekomandojnë certifikimin, pastaj palët mund ti drejtohen institucioneve për ankesa”, shtoi ai.

 

Shtyhet për dy orë votimi për certifikimin e të gjithë kandidatëve