Fillon kuvendi zgjedhor i Partisë Guxo, i pranishëm edhe Albin Kurti

Në orët e pasdites ka nisur kuvendi zgjedhor i Partisë Guxo, ku i pranishëm është edhe kryeministri Albin Kurti.

Deputetja Jeta Statovci ka hapur kuvendin zgjedhor të Partisë Guxo, në të cilin pritet të zgjidhet kryetari i këtij subjekti politik, si dhe kryesia e re.

Deri më tash nuk është bërë publik asnjë kandidat potencial për këtë pozitë, ndërsa Partia Guxo ka mbetur pa udhëheqës që nga zgjedhja e themelueses së saj – Vjosa Osmanit në postin e presidentes së vendit.

“Vjosa Osmani dhe Albin Kurti dëshmuan se në politikë mund të mbahen parimet. Të gjithë e dijmë që presidenti nuk duhet të jetë i asnjë partie, megjithëse ne nga këtu e  përshendesim përzemërsisht presidenten Vjosa Osmani” – ka thënë ndër tjera Jeta Statovci në hapjen e kuvendit.

Sot gjatë ditës, media online gazetaexpress raportoi se deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe anëtarja e Partisë Guxo, Doarsa Kica-Xhelili do të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com ka provuar ta konfirmojë lajmin nga vetë Doarsa Kica-Xhelili por ajo nuk është përgjigjur.