Fillon hulumtimi që pasqyron gjendjen e përhapjes së COVID-19 në popullatë

Për herë të parë në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka filluar zbatimin e studimit “Hulumtimi seroepidemiologjik bazuar në popullatë” sipas moshës, për infeksionin COVID-19.

Sipas IPSHPK-së, ky hulumtim bëhet me qëllim të hulumtimit të shkallës së infeksionit me COVID-19, që përcaktohet nga seropozitiviteti (rezultati pozitiv i testit të gjakut) i popullatës së përgjithshme në Kosovë.

“Hulumtimi bëhet sipas protokollit të standardizuar të zhvilluar nga OBSH, i cili mundëson që të dhënat e ekspozimit epidemiologjik dhe mostrat biologjike të mblidhen sistematikisht dhe të vlerësohet shkalla e ashpërsisë dhe sulmit”, shkruan IKPSHPK.

Ky studim sero-epidemiologjik ka për qëllim të matet seroprevalenca e antitrupave të COVID-19 në popullatën e përgjithshme sipas gjinisë dhe grupmoshës, në mënyrë që të përcaktohet imuniteti kumulativ i popullatës; të vlerësohet raporti i infeksioneve asimptomatike, para-simptomatike ose subklinike në popullatë dhe në raport me moshën dhe gjininë; të matet pozitiviteti aktual te popullata e zgjedhur rastësisht.

“Posa të përfundojë marrja e mostrave në terren do të kemi rezultatet preliminare dhe tutje ato përfundimtare që do na pasqyrojnë gjendjen e përhapjes së COVID- 19 në popullatën e Kosovës”, shkruan në njoftim.

Hulumtimi do te bëhet në nivel vendi i shtresuar sipas grupmoshës dhe gjinisë. Hulumtimi shërben për orientim mbi situatën e shëndetit publik dhe politikat e vendimmarrjes.