Gjykimi lidhur me akuzën për trafikim me fëmijë. FOTO- Fitim Limani/KALLXO.com

Fillon gjykimi ndaj të akuzuarve se para 18 viteve ia morën pa dëshirë fëmijën nënës

Ruzhdi Faiki i cili akuzohet se ka kryer veprën penale të trafikimit me njerëz si dhe Reqibe Amidi e cila akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka marrë dhe ka mbajtur një fëmijë, kanë dalur para sot para gjykatës për tu përballur me akuzën e Prokurorisë së Gjilanit.

Në fillim të seancës gjyqësore, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë. Pas kësaj u dha edhe fjala hyrëse e palëve

Në fjalën hyrëse të tij, prokurori Uka tha se Prokuroria para ngritjes së aktakuzës ka disponuar me një mori provash për të ardhur deri tek vërtetimi i gjendjes faktike, nga ku të pandehurit në fjalë akuzohen për veprat e përshkruara në aktakuzë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ruzhdi Faiki, avokati Gani Rexha në fjalën hyrëse të tij tha se me provat të cilat do të nxirren gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarës Reqibe Amidi, avokati Kadri Sylaj tha se në kohën kur pretendohet nga Prokuroria se është kryer vepra penale është zbatuar ligi penal i Krahinës Socialise Autonome të Kosovës dhe se në rastin konkret kemi të bëjmë me parashkrim absolut të ndjekjes penale.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari- zyrtari policor Bedri Paqarizi.

Ai tha se punon në Drejtorinë kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore që nga viti 2011 dhe se rasti në fjalë në fillim ishte inicuar si kanosje nga ana e viktimës Naxhije Ahmeti, por që gjatë trajtimit të këtij rasti ishin vërejtur elemente të kryerjes së veprës penale të trafikimit me njerëz.

“Viktima kishte deklaruar se ka bashkëjetuar me të dyshuarin e lartëcekur dhe se kishte lindur një fëmijë në Spitalin Regjional të Gjilanit, të cilin fëmijë sipas viktimës pa vullnetin e saj i akuzuari ia kishte shitur personave Reqibe Amidi dhe bashkëshortit të saj. I gjithë dokumentacioni i mbledhur nga sistemi i verifikimit si dhe të dhënat e tjera në terren i janë dërguar Prokurorisë për të proceduar me këtë çështje penale”, tha dëshmitari Paqarizi.

Në mungesë të dëmtuarës Naxhije Ahmeti, seanca e rradhës do të vazhdojë më 2 korrik.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Ruzhdi Faiki më 8 maj 2003 në Gjilan trafikuar të posalindurin me iniciale A. pas lindjes nga e ëma- e dëmtuara Naxhije Ahmeti, të cilën pas lindjes në Spitalin Regjional të Gjilanit, pa pëlqimin e saj e ka detyruar t’ia jap fëmijën e saj të posalindur të pandehurës Reqibe Amidi.

Tutje sipas aktit akuzues edhe pse i akuzuari Ruzhdi e ka ditur se pas lindjes e dëmtuara ka qenë në depresion, ka bërë tregti me njerëz me qëllim të realizimit të dobisë pasurore, e që, gjatë punës operative të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Prishtinë, i njëjti hetohet dhe zbulohet.

Tutje sipas aktit akuzues, e pandehura Raqibe Amidi më 8 maj 2003 e deri më tani në mënyrë të kundërligjshme ka marrë dhe ka mbajtur fëmijën nga personi tjetër dhe pse të njejtës nuk i është besuar nga enti -organi kujdestar, pa i përfillur procedurat lidhur me marrjen dhe mbajtjen e fëmijës.