Seanca gjyqësore ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha (11.11.2022), Foto: KALLXO.com

Fillon gjykimi ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha

Ka filluar gjykimi ndaj ish-ministres për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, Gëzim Dushit, Fitim Mustafës dhe Ekrem Tahirit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë seancë është paraqitur fjala hyrëse e palëve në të cilën prokurorja speciale Ilirjana Çollaku – Tafa tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të provohet se të akuzuarit kanë kryer këto vepra penale si dhe ka propozuar gjykatës që në fund të dënohen sipas ligjit.

Gjithashtu në bazë të një letre të lexuar nga kryetari trupit gjykues, Vesel Ismajli, edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Nexhmije Karaqi e ka përkrahur fjalën e prokurores dhe iu ka bashkangjitur ndjekjes penale.

Mbrojtësi i të akuzuarës Dhurata Hoxha, avokati Florent Latifaj tha se me provat e parashtruara nga ana e tyre do të vërtetohet se fushata është paguar nga mjetet e të akuzuarës dhe partia e saj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Mustafa, avokati Arbër Jashari, e ka kundërshtuar aktakuzën duke konsideruar se është bazuar në supozime dhe paragjykime të pasakta.

“E kundërshtojmë në tërësi aktakuzën e prokurorisë si të pambështetur në prova dhe sic e kemi elaboruar edhe në kundërshtim dhe në ankesë e njëjta është e bazuar në supozime, paragjykime dhe konstatime të pasakta sa i përket klientit tim, të pandehurit Fitim Mustafa” – tha avokati Jashari.

Avokati Rrezon Hoxha, mbrojtësi i Gëzim Dushit, i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta lirojë ndërsa avokati Driton Muharremi mbrojtësi Ekrem Tahiri tha se me veprimet e të akuzuarit Tahiri nuk provohen elementet e veprës penale.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions” e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së, përshkruhet se kompania e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas prokurorisë “N.Sh. 2B”, ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë se sa kompania e cila në fund u shpallë fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions”, ishte nënshkruar nga ish ministrja Dhurata Hoxha e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.