Fillon fushata ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje

EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci kanë nisur fushatën ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje.

Kjo fushatë ka sloganin “Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje për shkak se nuk keni ku të shkoni. Kërkojeni të drejtën tuaj në pronë!”, kurse po mbështetet nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Forumi për Lidership dhe Diplomaci, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Drejtësisë.

Fushata ka nisur dje gjatë një ngjarje të organizuar nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu.

Osmani tha se këto fushata forcojnë përpjekjet për të luftuar dhunën ndaj vajzave dhe grave.

“Diskutimi i të drejtave pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore përçon mesazh të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet kryesore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutimet e tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final.Çështja e trashëgimisë nuk është vetëm çështje e izoluar, por prona është realisht instrument i fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha”, tha Osmani.

Duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, përfshirë edhe të drejtat pronësore, drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha se kjo fushatë synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre të pronës në mënyrë që të bëhen të pavarura financiarisht.

“Një pavarësi e tillë do t’i ndihmojë ato që të largohen nga marrëdhëniet abuzive”, tha Emini.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark tha se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë krijojnë terren të plleshëm për dhunën në familje ndërsa tha se strhimore s’mund të konsiderohen zgjidhje e përhershme.

“Ndarja nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft e vështirë nëse nuk keni pronë, dhe asnjë alternativë për të kërkuar strehim e mbrojtje.  Nëse nuk keni të ardhurat tuaja, madje mund të vendosni të toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie abuzive. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të nevojshme”, tha Wigemark.

Në komunikatë thuhet se sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se të dhënat tregojnë se vetëm 17 për qind e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa vetëm 7 për qind e grave trashëgojnë pronë. Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe pabarazia tashmë ekzistuese e pronësisë mbi pronën rëndohet edhe më tej.