Burimi: Google

Fillon fushata “Fol me mu” në mbështetje të shëndetit mendor

Ka filluar fushata “Fol me mu për shëndetin mendor”, e cila përfshin tema të shumta psiko-edukuese të ofruara nga profesorë të psikologjisë.

Fokusi i fushatës është ofrimi i këshillave, kujdesit, resurseve, dhe edukimit për mirëqenien e njerëzve të ndikuar përgjatë pandemisë së COVID-19.

Këtë nismë e kanë marrë profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Departamentit të Psikologjisë, me mbështetjen e Programit te Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Zyren e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV).

Kjo fushatë ka për qëllim edukimin e njerëzve që kanë brenga të ndryshme rreth shëndetit mendor përmes një linje telefonike për ndihmë që është në dispozicion falas prej 11:00 – 22:00, uebfaqe e dedikuar për këshilla dhe resurse, si dhe një seri të videove informative për tejkalimin e problemeve të mundshme që lidhen me shëndetin mendor.

Fakulteti i Filozofisë përmes një njoftimi ka njoftuar se “Fol me mu” do të adresojë shqetësimet e qytetarëve posaçërisht stresin, ankthin, ndjenjëm e izolimit, mungesën e socializimit, dhe mirëqenien e përgjithshme.

“Të gjithë jemi prekur nga COVID-19 në një formë apo tjetrën; qoftë përmes infektimit direkt, qëndrimit në shtëpi, jetës larg familjes dhe miqve apo pasigurisë që na është krijuar për mirëqenie, punë apo edukim. Prandaj, e kemi vlerësuar që një fushatë si kjo që po e fillojmë tani, është e domosdoshme për t’u dalë në ndihmë kujtdo që është prekur dhe ka nevojë për ndihmën tonë”, tha me këtë rast Aliriza Arënliu, drejtor i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

shendetimendor.org qytetarët do të mund të marrin këshilla për përmirësimin e shëndetit mendor, apo të mësojnë per aktivitetet rreth tejkalimit të problemeve me stresin, gjumin, frymëmarrjen, mendimet negative apo të ngjashme.