Fillon edicioni i 34-të i "Flakës së Janarit" në Gjilan

Më 11.01.2025 ka filluar manifestimi mbarëkombëtar, “Flaka e Janarit” e organizuar nga Komuna e Gjilanit.

Sipas një komunikate për media, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedoncin, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiun, zv. ministrin e Mbrojtjes Shensi Sylën, nënkryetaren Leonora Morina Bunjakun, deputetë, ministra, drejtorë, aktivistë dhe qytetarë, gjatë ditës bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Në njoftim thuhet se më pas aktivitetet kanë vazhduar në Kazermën e Qytetit, ku janë prit nga komandanti i FSK-së i kësaj kazerme nënkoloneli Arben Avdyli.

I pari i ka thënë se së bashku me nënën Stane, deputetë, ministra, aktivistë dhe qytetarë, nderuan historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“’Flaka e Janarit’, ka filluar që nga dita e sotme, duke na kujtuar heronjtë dhe dëshmorët që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Vizituam Kodrën e Dëshmorëve, ku mes varreve të heronjve reflektuam mbi sakrificat e tyre dhe ripërtëritë angazhimin për një Kosovë që respekton dhe vlerëson ato sakrifica”- ka thënë Hyseni sipas komunikatës.

Hyseni ka theksuar se më pas kanë vizituar ushtarët e FSK-së, të cilët sipas tij, me guxim dhe përkushtim mbrojnë sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë.

“’Flaka e Janarit’, na kujton sakrificat që na sollën lirinë dhe angazhimin për të ndërtuar një të ardhme të sigurt”- është shprehur Hyseni.

Në edicionin e vitit të kaluar, shkrimtari shqiptar, tashmë i ndjeri Ismail Kadare ishte mysafir nderi.

Kadare vdiq më 01.07.2024, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardio-respirator. Ai u varros më 03.07.2024 në Varrezat e Tufinës në Tiranë.