Fillon dëgjimi publik për projektligjin për liritë fetare

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier po marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës tha se një ndër qëllimet e këtij projektligji është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare.

“Liria e besimit ndërgjegjes e fesë ngërthen ne vete të drejtën për të shfaq bindjet personale për te pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie. Çdo kush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë” – u shpreh Kurti.

“Republika e Kosovës edhe tashmë qëndron mirë sa i përket respektimit të fesë. Një ndër kategoritë që Kosova ka shënuar performancën më të mire në vitin 2022 është liria e mendimit dhe fesë” – shtoi ai.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se praktikimi i religjionit, ritualeve dhe respektimi i tij janë të garantuara me të drejta e standarde ndërkombëtare por edhe me Kushtetuta të shteteve ku praktikohen ato fe.

“Kosova si vend demokratik e pluralist i respekton liritë fetare këtë e kemi kodifikuar përmes kushtetutës dhe ligjit për liritë fetare i cili po ndryshohet. Ne si popull i Kosovës jemi shembulli më i mire dhe dëshmitar të historisë që në Kosovë ne si popull s’kemi pasur konflikte të karakterit fetar” – u shpreh Konjufca derisa shtoi se ky është shembull për t`u globalizuar aq shumë i nevojshëm në ditët e sotme.

Ai gjithashtu potencoi se Qeveria krijon mekanizma e institucione përmes të cilave i regjistron bashkësitë fetare dhe e bënë një komision që merret me këtë punë.

Konjufca ka lexuar disa rekomandime për projektligjin e ri. Sipas tij për bashkësitë e reja janë gjashtë kritere e kushte që duhet të plotësohen që bashkësitë fetare ta krijojnë statusin juridik.

“Është e rëndësishme të plotësohet ajo çka i ka munguar Kosovës” – vijoi Konjufca.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier tha se ushtrimi i fesë është e drejtë universale e njeriut.

Sipas tij, në Kosovë qeveria ka kërkuar mbrojtjen e lirisë së besimit përmes kushtetutës e ligjit për liritë fetare.

“Për më shumë se një dekadë në Kosovë e kemi theksuar mungesën e statusit ligjor. Për me shumë se një dekadë kemi nxitur qeverinë të miratoj ndryshimet për liritë fetare. Ju nxis të përkujtoni rekomandimet e komisionit të Venecias të vitit 2014” – potencoi ambasadori.

Ndër të tjera, Hovenier shtoi se është e rëndësishme të diskutohen çështjet e gjithë përfshirjes dhe të gjitha bashkësitë fetare të lejohen të regjistrohen dhe mos të krijojmë pengesa.