Fillojnë punën dy gjyqtarët e rinj të Gjykatës Supreme

Albert Zogaj dhe Fejzullah Rexhepi janë dy gjyqtarët e rinj, të cilët kanë nisur punën në degën civile të Gjykatës Supreme.

Të njëjtit kanë kaluar procedurat e përzgjedhjes dhe kanë marrë miratimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mbledhjen e fundit të mbajtur më 29 shtator 2020.

Në këtë mbledhje, KGjK pas shqyrtimit të propozimit të Komisionit për intervistimin e kandidatëve për avancim në Gjykatën Supreme, vendosi për avancimin e gjyqtarëve Albert Zogaj dhe Fejzullah Rexhepi.

Deri më tani gjyqtarët e rinj, kanë qenë duke e ushtruar profesionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit.

Të dy gjyqtarët kanë përvojë pune mbi 10 vjeçare.

Me bashkimin e këtyre dy gjyqtarëve, tanimë Gjykata Supreme numëron 16 gjyqtarë, duke përfshirë këtu edhe kryetarin Envder Peci.

Peci i ka pritur në takim dy gjyqtarët e rinj, të cilëve u ka uruar mirëseardhje.