Fillimi i vitit të ri shkollor, Vetëvendosje inicion interpelancë për ministrin e Arsimit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka iniciuar interpelancë për ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj.

Sipas njoftimit për medie, ftesa për interpelancë lidhet me fillimin e vitit të ri shkollor.

“Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftimin e partisë më të madhe opozitare.

Sipas Vetëvendosjes, ministri Likaj dhe dikasteri që drejton deri më tani nuk kanë prezantuar asnjë plan për fillimin e vitit të ri shkollor ndonëse kanë mbetur edhe tri javë deri në shtator.

“Përkundër se vetëm edhe tri javë na ndajnë nga kur do të fillojë viti shkollor dhe akademik, kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor. Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19”, thuhet tutje në njoftim.

LVV ka kritikuar Ministrinë e Arsimit që, sipas tyre, nuk janë përgatitur gjatë kohës së pushimeve verore për organizimin e mësimit.

“Gjatë gjithë pushimit veror, Qeveria nuk është parë të ketë bërë përgatitje për një proces arsimor në rrethana emergjente. Sfidat e ndryshme të organizimit të procesit online të arsimimit do të duhej të trajtoheshin për t’u shmangur me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga adaptimi psiko-social i nxënësve me mënyrën online të vijimit të mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mësimdhënie nga distanca, mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia, por edhe monitorimi dhe vlerësimi i këtij procesi”, thuhet në fund të njoftimit.

Sot gjatë ditës, edhe partia tjetër opozitare, PDK, kritikoi ministrin Likaj dhe Qeverinë për riorganizimin e mësimit.

PDK kritikon Ministrin e Arsimit, pyet nëse Kosova është e gatshme për fillimin e mësimit në shtator

www.kallxo.com