Fillimi i vitit shkollor, Nagavci: Mbi 65 për qind e mësimdhënësve të vaksinuar plotësisht

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, një ditë para se të fillojë viti i ri shkollor, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.

Sipas Nagavcit, më shumë se 65% të mësimdhënësve dhe stafit janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar. Më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat”, tha ajo.

Ajo u shpreh se ky vit mund të jetë sfidues dhe është e domosdoshme që të respektohen masat.

“Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë pandeminë nën kontroll, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik”, tha ministrja e Arsimit.

Sipas saj, mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë shumë punë e përgjegjësi, por ajo u shpreh e bindur  se angazhimi dhe kujdesi i tyre nuk do të mungojë.

“Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet përfshirë edhe prindërit, do të na mundësojë një vit të suksesshëm shkollor”, tha në fund ajo.

Të hënën, më 27 shtator, do të lejohet nisja e mësimit në arsimin parauniversitar me prezencë fizike në shkolla. Të pranishëm në klasa duhet të jenë jo më shumë se 20 nxënës. Përveç mësimit me prezencë fizike do të organizohet edhe mësimi nga distanca.

MASHTI po ashtu ka përgatitur edhe një udhëzues se si duhet të zhvillohet mësimi këtë vit shkollor.   Në këtë udhëzues thuhet se Skenari i Rikthimit është paraparë si skenar shtesë i skenarëve ekzistues A, B, C, të cilët janë zbatuar në vitin shkollor 2020/21 dhe ende mbesin në fuqi. Skenari i Rikthimit, sikurse skenarët e tjerë, parasheh që të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH) të përcillen me kujdes.

Zbatimi i skenarëve Rikthimi, A, B, apo C, do të varet nga situata epidemiologjike. Përgjegjëse për përcaktimin e skenarit që do të zbatohet në shkolla dhe komuna është Task Forca në nivel të institucionit në bashkëveprim me Task Forcën e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në përputhshmëri me rekomandimet e IKSHPK. Skenarët gjegjës që zbatohen duhet të reflektojnë ndjeshmërinë e situatës aktuale, duke marrë parasysh kujdesin për shëndetin e fëmijëve dhe personelin e Institucioneve të Arsimit , si dhe ruajtjen e shëndetit publik në përgjithësi.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri, është rishtyrë deri më 26 shtator.