RRAHMAN JASHARAJ

Fillimi i mësimit në disa shkolla, Jasharaj: Pas këtij vendimi qëndron presioni dhe shantazhi nga ministrja Nagavci

Pavarësisht takimit të Këshillit Grevist të BSPK-së me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, greva në arsim në Kosovë është duke vazhduar sepse këto takime dolën të jenë të pa suksesshme, pasi që nuk u plotësuan kërkesat e grevistëve.

Mirëpo në disa shkolla në Kosovë kanë vendosur të mos zbatojnë grevën dhe të rifillojnë mësimin, pas rreth dy javëve.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Rrahman Jasharaj, tha për Telegrafin  se hapjes së këtyre shkollave iu qëndron pas presioni dhe shantazhi nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në ato komuna që i ka vizituar ajo.

“Në takimet që i mbajmë çdo ditë, jemi duke e analizuar situatën, ka disa shkolla aty këtu ku ka filluar mësimi që të njëjtat janë të njohura edhe për opinionin. Kjo hapje ka ndodhur pas presioneve të papara që u janë bërë ndaj grevistëve kudo, qoftë me vizita qoftë me mesazhe dhe të tjera. Zonja Nagavci nuk ka pushuar së shkuari nëpër komunat të cilat ajo ka menduar se më lehtë do t’i ecë fjala. Në Podujevë, Gjilan, Kamenicë dhe Gjakovë për qudi janë bërë presione dhe këtë nuk mund ta fsheh Qeveria. Presioni po bëhet nga zonja Nagavci konkretisht”, tha ai.

Jasharaj tha se uniteti mes grevistëve do të vazhdojë dhe nuk mund të jetë frytdhënës dhe i mirëfilltë mësimi që nis me presione.

“Mirëpo grevistët vazhdojnë të jenë unik në kërkesat e tyre, kjo me shkolla që po veprohet është e keqe. Me presione dhe shantazhe nuk mund të arrihet ndonjë lëvizje pozitive. Mund të ketë individ të cilët pas presioneve të bëra, ka vendosur të rinis mësimi. Mirëpo kjo mënyrë nuk sjell asgjë pozitive, sepse kur mësimi fillon me presione, mësimi nuk të të këtë efekt dhe nuk do të jetë i mirëfilltë. Qeveria të mos krekoset me hapjen e pesë ose dhjetë shkollave sepse ky nuk është sukses”, deklaroi Jasharaj.

Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend.

Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejtë të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagës 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave./Telegrafi/