Filharmonia e Kosovës mban koncert në Turqi
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncerte në Turqi.
Ky koncert do të mbahet këtë të dielën, më 25 shtator 2022, në Qendrën e Artit, “Ahmed Adnan” në Izmir.
Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se koncerti organizohet në kuadër të Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale.
Në Izmir, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano nga Schumanni me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp.
Ndërkaq, sipas njoftimit, në pjesën e dyte të koncertit nga Filharmonia e Kosovës do të interpretohen vepra simfonike shqiptare nga Çesk Zadeja (suita simfonike “Skënderbeu”), Lorenc Antoni (“Në Prizrenin e vjetër”), Valton Beqiri (“Loja”), Hajrullah Syla (“Uverturë shqiptare”) dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.
Në këtë koncert i cili do të dirigjohet nga Gridi Kraja, do të interpretohet edhe premiera botërore e veprës “Sinfonietta” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.