Filarmonia e Kosovës e përmbylli vitin, duke kujtuar Pagarushën në Shkup

Filarmonia e Kosovës në Shkup e kujtoi bylbylin e ndjerë, Nexhmije Pagarushen. Përveç këngëve të saj, në programin e koncertit të fundvitit, bënin pjesë edhe veprat e artistit i cili ndërroi jetë këtë vit, Avni Mula.

Orkestra udhëtoi rreth 100 kilometra para koncertit, kjo sepse vetëm salla në Shkup ia mundësoi që mënyrën e dëshiruar të përmbyll artistikisht vitin 2020 dhe të sigurohen masat anti-COVID për publikun dhe artistët.

“Salla këtu ofron mundësi që nuk i ofron asnjë sallë ekzistente në Kosovë dhe në situatën në të cilën ndodhemi, me pandeminë, kjo ndoshta ka qenë zgjidhja e vetme. Por fatmirësisht nuk e kemi larg Shkupin as ne dhe as publikun, plus që këtu është e mira që kemi mundësi të prezantohemi edhe para një publiku tjetër”, deklaroi për Kallxo.com organizatori dhe menaxheri i Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selmanaj.

Dardan Selmanaj

Këto nevoja nuk i plotëson dot as Tirana.

“Kjo është një mangësi që e kanë shqiptarët kudo. Edhe në Tiranë është bërë një sallë opereje, megjithatë është e pamjaftueshme”, tha dirigjenti i koncertit të sotëm dhe që është nga Shqipëria, Gridi Kraja.

Megjithatë, kishte edhe vështirësi artistike. Vjetërsia e instrumentet të cilat nuk artikulonin dot tingujt e përmasave të këngëve të Pagarushës.

“Kishte një farë vështirësie, sepse kishte materiale që janë disi të vjetra dhe nuk mund të gjendeshin notat, kështu që me stafin jemi detyruar të bëjmë orkestracione të reja, për të përshtatur disa materiale ashtu si që i ka kënduar e madhja, Nexhmije Pagarusha. Provat vajtën shumë mirë. Normalisht, kjo është një orkestër e disiplinuar me njerëz shumë të talentuar”, sqaroi më tej Kraja.

Këto nevoja artikulojnë vetëm një dëshirë për vitin 2020 dhe ajo është, të ndërtohet një sallë e përmasave të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, të cilën sallë nuk e ka as edhe Shqipëria.

“Presim që në vitin 2021, e para të jemi të gjithë mirë dhe e dyta është që autoritetet e Prishtinës ta shohin si opsion, që herën e parë kur të jepet mundësia, ndoshta kur t’i rikthehemi normalitetit që Salla e Koncerteve në Prishtinë është e domosdoshme. Mungon prej shumë vjetësh dhe besoj se është momenti i fundit që të ndërmerren hapa konkret në këtë drejtim”, deklaroi Selmanaj.

Para publikut shkupjan dhe kosovar, përveç veprave të Mulës, u sollën edhe veprat e Rexho Mulliqit, Çesk Zadesë, Lorenc Antonit, Palok Kurtit dhe Rauf Dhomit. Ndërkaq, për orkestrimet, përveç Krajës ishin përkujdesur edhe Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj. Që pas paraqitjes së virusit Kovid-19, kjo është hera e tretë që orkestra e Filarmonisë së Kosovës performon në Shkup.